VKM: 885.500 metra katrorë në Vlorë shpallen zonë e lirë ndërtimi me tarifë 1 euro
Qeveria miratoi vendimin për shpallje e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Vlorë, që do të ketë një sipërfaqe prej 885 mijë metra katrorë.

Kjo zonë teknologjike “TEDA/RAMS Free Zone” do të zhvillohet nga shoqëria ‘RAMS Albania’, në cilësinë e një investitori strategjik, status që e ka fituar në shkurt të këtij viti. Pas kësaj shoqërie janë disa administratore me origjinë nga Turqia.
Sipas vendimit zona do të jetë me një kontratë për 35 vjet, me të drejtë zgjatjeje deri në 99 vjet.
Në këtë zonë do të zhvillohen aktivitete të lidhura me ekosistemin industrial logjistik dhe inovativ, teknologjinë industriale, automatizimin dhe inteligjencën artificiale, si edhe përpunimin mekanik të lehtë të metaleve, duke përdorur procese jo-ndotëse dhe energji të rinovueshme.
V E N D I M PËR SHPALLJEN “ZONË E TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” DHE ZHVILLUESIT TË ZONËS ME VENDNDODHJE NË VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, dhe të nenit 14/2, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” të territorit, me sipërfaqe 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m2, pjesë e zonave kadastrale 8604 dhe 2765, në Bashkinë Vlorë, të përbërë nga pasuritë me sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe hartës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”” përcaktohen në hartën, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE””, janë të llojit:
a) ekosistem industrial logjistik dhe inovativ;
b) teknologji industriale;
c) automatizim dhe inteligjencë artificiale;
ç) përpunim mekanik i lehtë i metaleve, duke kombinuar metalurgjinë e pastër me aktivitete të kufizuara në përpunim mekanik të lehtë dhe trajtime sipërfaqësore jondotëse dhe energjinë e rinovueshme.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.
5. Ministria përgjegjëse për ekonominë vë në dispozicion pasuritë e paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale 885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m², pjesë e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), në funksion të zhvillimit të projektit, me tarifë 1 (një) euro/kontrata.
6. Shoqëria “RAMS ALBANIA”, sh.p.k., shpallet zhvillues i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me procedurë jokonkurruese si subjekt përfitues, me status “Investim/investitor, procedurë e veçantë”, në bazë të vendimit nr.1, datë 11.2.2026, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar.
7. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.774, datë 4.6.2008, “Për shpalljen e “Zonë ekonomike” në Vlorë”, nr.818, datë 11.6.2008, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike, në Vlorë, dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, dhe nr.1547, datë 26.11.2008, “Për miratimin e kontratës të formës BOT, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe “Idea Vlora”, sh.a., për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e parkut industrial në Vlorë”, shfuqizohen.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat






k.jpg)